Partia Socialdemokrate (PSD) përmes një aktiviteti të saj para objektit të Qeverisë së Kosovës ka shpalosur listat me nënshkrimet e peticionit të vitit 2016 kundër Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Ato lista sipas Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP) përmbajnë kategori të të dhënave personale të qytetarëve.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi është njoftuar nga lajmet e publikuara në mediume, të postuara apo ri postuara edhe në rrjete sociale, me pamjet e këtij aktiviteti, të cilat dukshëm shpërfaqin shpalosjen e dokumenteve të peticionit me të dhëna personale të qytetarëve”, thuhet në reagimin e AIP-it.
“Agjencia për Informim dhe Privatësi u bën thirrje subjekteve mediatike/portaleve, ashtu si edhe qytetarëve që përdorin rrjetet sociale, të respektojnë kuadrin ligjor në fuqi në mbrojtjen e të dhënave personale, që gjatë transmetimit apo njoftimit me lajmin të mos publikojnë të dhënat personale të qytetarëve që gjenden në listat e shpërndara, duke aplikuar efektet e mjegullimit”, shton kjo agjenci. /Telegrafi/