Telegrafi

Aktiviteti prodhues në Britani të Madhe me rënien më të shpejtë që nga viti 2012

Sektori i prodhimit në Britani të Madhe u tkurr muajin e kaluar me ritmin më të shpejtë në shtatë vite, i shtypur nga thellimi i krizës së BREXIT-it dhe rënia ekonomike botërore.

Indeksi i Menaxhimit të Blerjeve nga IHS Markit për sektorin e prodhimit të Britanisë së Madhe ra në 47.4 pikë nga 48 pikë që ishte në muajin korrik, një pikë më poshtë nga parashikimi.

“Nivelet e larta të pasigurive politike dhe ekonomike bashkë me tensionet tregtare të vazhdueshme mbytën performancën e fabrikave të Britanisë së Madhe në muajin gusht”, tha drejtuesi i IHS Markit, Rob Dobson, përcjell Telegrafi.

Ekonomia britanike u tkurr në tremujorin e dytë, një devijim nga rritja për shkak të rezervave në afatin origjinal të largimit nga Bashkimi Evropian që ishte muaji mars.

PMI tregoi se sektori i prodhimit britanik po shkon drejt recesionit, gjë e cila po ndodh kudo përgjatë Evropës, pavarësisht një rritje të lehtë në Francë muajin e kaluar.

Aktiviteti përgjatë sektorit prodhues pësoi rënie, me prodhimin në mallrat konsumatore që ra me ritmin më të shpejtë që nga muaji shkurt 2012, periudhë e cila ishte pranë recesionit të fundit të Britanisë së Madhe.