Shëndeti mendor dhe ai fizik, çdo ditë po bëhen më të rëndësishme për njeriun. E për ta mbajtur një shëndet mendor dhe fizik pa stres, ankth dhe depresion, ditën e sotme ka metoda të ndryshme. Metoda më e mirë për të larguar këto sëmundje është meditimi kuantik dhe teknikat e frymëmarrjes të cilat ndihmojnë në uljen e stresit dhe ankthit. Kështu u tha sot në aktivitetin për përmirësimin e shëndetit mendor që u mbajt në Prishtinë.
Këto lloj aktivitete ka filluar t’i mbaj edhe trajneri, Jetmir Sefa, i vetmi në Ballkan që bënë organizime të tilla, i cili sot në orët e hershme të mëngjesit ka mbajtur meditim në parkun e “Gërmisë”.
Sefa, ka thënë për KosovaPress, se sa më shumë që të praktikohen teknikat e frymëmarrjes aq më pak njerëzit kanë nevojë për barna, teknika të cilat në përgjithësi bëjnë çlirimin emocional.
“Teknikat e frymëmarrjes në përgjithësi bëjnë çlirimin emocional. E faktikisht ankthi është manifestim i ngarkesave emocionale të cilat njeri i bënë gjatë tërë jetës, kështu që janë shumë efektive, por duhet t’i bëjë në mënyrë të vazhdueshme, për vet faktin se ne vazhdimisht mbledhim energji negative, pra në mënyrë që mos ta lëmë që të manifestohet në ankth. Sa më shumë që praktikojmë teknikat të frymëmarrjes aq më pak kemi nevojë për barna dhe është një shkencë e tërë që qëndron prapa tyre, por fatkeqësisht ka shumë pak informacione në tregun shqiptarë dhe njerëzit nuk praktikojnë aq sa duhet”, ka thënë Sefa.
Ndërsa, Artan Beqiri, i cili ishte pjesë i këtij aktiviteti sot, është shprehur se në fillim ndjen dridhje dhe marramendje në trup, të cilat i prodhon mendja për t’i thyer “kufijtë” e vet që ka ndërtuar në një zonë rehatie.
Sipas tij, sa më shumë që e ushtron këtë aktivitet, ndjen pastrim të brendshëm, çlirim prej të cilit ndjehet plot jetë brenda vetës.
“Fillimisht i ndjen disa dridhje, marramendje nëpër trup të cilat thjeshtë mendja po prodhon me i thye ata kufijtë e vet që ia kanë ndërtuar me një zonë rahatie. Sa më shumë që zhytesh edhe thellohesh këtë aktivitet, e ndjen njëfarë pastrimi të brendshëm dhe në fund me një bërtitmë të madhe e nxjerrim këtë energji jashtë, ku ndodh edhe një çlirim, marramendës ku ndihesh lehtë, plot jetë brenda vetës’, është shprehur ai.
Po ashtu Mirlinda Maliqi, ka shtuar se gjatë këtij aktiviteti sot ka arritur një çlirim emocional.
E njëjta, ka thënë se qe dy vite mediton në shtëpi, por gjatë realizimit të këtij aktiviteti sot e ka parë se e ka bërë në mënyrë jo të duhur.
“Tek unë ndikoi tepër mirë, e arrita një çlirim emocional, që nuk e kam arritur më herët kam menduar që kam ditë me meditua, por në fakt nuk paskam ditë”, ka shtuar Maliqi.
Ankthi është ndjenja që disa qytetarë kanë kur janë të shqetësuar ose të frikësuar për diçka.