Partitë politike në Maqedoni edhe gjatë ditës së djeshme kanë vazhduar me takimet e tyre me qytetarët. Ata në ditën e katërt të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale kanë pasur aktivitete të shumta në vend.
Telegrafi Maqedoni ju sjell të përmbledhura gjitha takimet e partive më të mëdha me qytetarët.
PDSH vizitoi Negotinën dhe Vrapçishtin. Lideri i kësaj partie Menduh Thaçi para banorëve të këtyre dy vendeve u shpreh i bindur se më 15 tetor do ta mposhtin BDI-n si në Tetovë ashtu edhe në Vrapçisht, pasi sipas tij tërë këto vite ata nuk kanë punuar asgjë për popullin, duke përmendur disa nga problemet kryesore në këto vendbanime si kanalizimi, ajri i ndotur e kështu me radhë. Thaçi siguroi se me fitoren e PDSH-së, të gjithë këto probleme do të marrin fund dhe për të njejtat do të gjindet zgjidhje.
OBRM-PDUKM me kryetarin e saj qëndroi në Shkup, ku realizoi takim me qytetarët. Nikolla Gruevski deklaroi se në këtë periudhë, oponentët e tij politik, po i lirojnë kriminelët nga burgjet, por edhe përkrah mbështetjes ndaj strukturave kriminele, ata do t’i humbin zgjedhjet në mënyrë ligjore. Gruevski shtoi se këto struktura kriminele kanë fituar mbështetje edhe nga kryetari i Partisë Demokratike Sllovene, Janez Jansha, e cila parti është gjithashtu pjesë e Partisë Popullore Europiane.
BDI zgjodhi që mbrëmë t’u drejtohet banorëve të Haraçinës. Kryetari i kësaj partie Ali Ahmeti drejtuar banorëve të këtij vendi tha se ka qenë ai dhe partia e tij që Hraçinën e ka futur në histori, duke thënë se ndjen shumë përgjegjësi ndaj këtij vendi pasi është vendi në të cilin janë dhënë shumë jetë, gjak dhe djersë. Mes tjerash kreu Ahmeti pëmendi edhe vërshimet e 6 gushtit, për të cilat tha se ka dhënë shumë mund për evitimin e pasojave. Ndërsa sa i takon koalicionimit të tanishëm me LSDM dhe koalicionimit të atëhershëm me OBRM-PDUKM-në, Ali Ahmeti u shpreh se votuesit kanë qenë ata që i kanë detyruar të marrin një hap të këtillë.
Kandidati i Lëvizjes BESA për Komunën e Çairit, Zeqirija Ibrahimi, ka mbajtur takim me qytetarët në hapësirën pranë objektit të Teatrit Shqiptar në Shkup. Ibrahimi premtoi e kaosin me parkingjet do ta zgjidhin detyrimisht në katër vitet e ardhshme me planin e ri që do ta hartojnë vetëm për parkingjet në Çair, e që do të bëhet vetëm pasi ta kenë pasqyrën reale se a kanë lënë ndonjë pronë të pauzurpuar publike këta mjeshtër të abuzimit të pronës publike./Telegrafi/