Telegrafi

Me aktivitete edukuese shënohet “Dita e Dentistëve”

Me aktivitete promovuese për shëndetin oral përfundoi punimet Simpoziumi i parë ndërkombëtar “Dita e Dentistëve”. Aktiviteti përmbyllës u mbajt në shkollën fillore “Model” në Prishtinë.

Dentistët së bashku me fëmijët parashkollorë bashkëbiseduan për ushqimet e shëndetshme dhe të dëmshme për dhëmbët, mbi metodën e drejtë dhe të rregullt të pastrimit të dhëmbëve dhe raportet miqësore që duhet krijuar fëmijët me dentistin (stomatologun).

Në fund të aktivitetit, fëmijët parashkollorë dhe lepurushi i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, kënduan këngën e projektit që ka përmbajtje edukuese e promovuese, ndërsa lepurushi me dentistët shpërndanë dhurata-brusha të dhëmbëve me pastë.

Simpoziumi ndërkombëtar “Dita e Dentistëve”, projekt i Organizatës për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, kishte për qëllim edukimin cilësorë, informimin dhe trajnimin e profesionistëve dhe studentëve të drejtimit të stomatologjisë, me të arriturat aktuale të shkencës dhe teknologjisë aplikative.

Në kuadër të hapjes solemne, për Veprimtari Jetësore, iu ndan mirënjohje Prof. Rifat Ymeri, Prof. Beqir Lupqi, si dhe për Prof. Roberto Cameriere.

Profesor Ymerit dhe Prof. Lupqit, kjo mirënjohje iu nda për kontribut në edukimin e gjeneratave të reja, promovimin dhe ruajtjen e shëndetit oral të popullatës, si dhe kontributit të tyre në themelimin e departamentit të Stomatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.

Ndërsa Prof. Cameriere, kjo mirënjohje i ndahet për suksesin e arritur në kuadër të Projektit për Përcaktim të Moshës “ÁgEstimation” në nivel ndërkombëtar.