Site icon Telegrafi

Aktivisti i LDK-së në Istog tregon pse u intervistua nga policia

Aktivisti i LDK-së, Selajdin Bytyqi, është intervistuar nga Policia në Istog, ku po mbahen votimet për kryetar të Komunës.

Në një prononcim për KALLXO.com, Bytyqi tha se është thirrur nga Policia për të dhënë një deklaratë. “Për momentin jam këtu (në Polici) duke dhënë një deklaratë“, ka treguar ai.

Tutje, Bytyqi ka mohuar se është i përfshirë në ndonjë përpjekje për të blerë vota. “Nuk ka asnjë të vërtetë që unë kam tentuar të blej vota. Nga kampi kundërshtar më ka lajmëruar në Polici gjoja se unë kam qenë i implikuar, por kjo nuk qëndron. Kjo është bërë vetëm pse jam aktivist i moçëm i LDK-së“, tha Bytyqi.

Ai e pranon se te vendvotimi ka qenë vetëm dy herë: një herë kur ka votuar dhe një herë që të çojë bukë. Herën e dytë thotë se ka qenë deri në oborr të shkollës.

Ndryshe, qytetarët e komunës së Istogut po votojnë sot për kryetarin e tyre. Në garë janë Haki Rugova dhe Gani Dreshaj i AAK-së. Votimi i sotëm është përsëritje e balotazhit të 19 nëntorit.

Në votimet e rrethit të parë, Rugova e Dreshaj kishin marrë më së shumti vota, por jo të mjaftueshme sa për të fituar zgjedhjet e 22 tetorit.

Pas balotazhit LDK ishte ankuar për parregullsi me votat nga jashtë dhe Gjykata Supreme ka vendosur për përsëritjen e balotazhit.

Exit mobile version