Telegrafi

Aktivistët e ORCA-s, protesojnë për Halloween me fytyrat e frikshme të profesorëve “plagjiatorë”

Aktivistët e Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), kanë  mbajtur një aksion simbolik përpara ndërtesës së Rektoratit të Universitetit të Prishtinës.

Për natën e Halloween-it, ata janë maskuar me fytyrat e frikshme të profesorëve të UP-së, të cilët sipas tyre kanë bërë plagjiaturë.

“Sot për Halloween, na aktivistët e ORCA-s vendosëm të dalim e të shpërndajmë maska me fytyrat e frikshme të atyre që janë përreth plagjiaturës të përbashkuar. Nuk ka gjë më të frikshme se shkatërrimi i arsimit të një vendi që shumicën dërrmuese të popullsisë e ka më të re se mosha 35 vjeçare. Nuk ka gjë më të frikshme se kur plagjiatorët guxojnë të jenë në pozita udhëheqëse edhe pasi janë vërtetuar dyshimet për plagjiaturat e tyre”.

Aktivistët e Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), duke protestuar para Rektoratit të UP-së

Sipas ORCA-s, nuk është e pranueshme që Qeveria nuk ndërmerr asgjë që këta profesor t’i zhdukë nga jeta publike.

“Nuk ka gjë më të frikshme se kur Qeveria nuk merr masa për t’i zhdukë nga jeta publike, por koketon me ta për interesa të ngushta. Prandaj, sot, për Halloween ne do të shpërndajmë maska të frikshme me fytyrat e frikshme të arsimit të lartë, të Universitetit të Prishtinës, le ta dijnë të gjithë sa e frikshme është situata në të cilën ndodhemi si shoqëri e në të cilën ndodhet universiteti më i rëndësishëm i vendit tonë”, ka shkruar në Facebook ORCA./Telegrafi/