Telegrafi

Aktgjykimi për Qeverinë Hoti ende nuk është bërë publik, Gjykata thotë se është drejt finalizimit

Sot janë bërë një javë prej se Gjykata Kushtetuese publikoi vendimin për pavlefshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi për Qeverinë Hoti.

Por, deri më tani kjo gjykatë nuk e ka bërë publike aktgjykimin e plotë.

Si rezultat i kësaj, u.d e presidentes Vjosa Osmani ndonëse është konsultuar me partitë politike, ende nuk shpallur datën e zgjedhjeve.

Kuvendi gjithashtu është në pritje të udhëzimit nëse duhet shpërndarë legjislatura aktuale me dekret apo nëse ky institucion bëhet jofunksional momentin që shpallen zgjedhjet e reja.

Telegrafi ka kontaktuar me Gjykatën Kushtetuese për të parë se kur do të bëhet publikimi i aktgjykimit dhe të njëjtit kanë treguar se aktgjykimi është në proces të finalizimit.

Lexo po ashtu Kushtetuesja hedh poshtë votën e deputetit Arifi, vendi shkon në zgjedhje

“Aktgjykimi është duke u finalizuar dhe posa të jetë i gatshëm do t’u dërgohet të gjitha palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Gjykata në vendimin e saj thotë, se zgjedhjet e reja duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet në vendim të Gjykatës Kushtetuese. Më tej thuhet se,”marrë parasysh se qeveria nuk është zgjedhur sipas paragrafit 3 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, atëherë mbështetur në paragrafin 4 të nenit 95 (Zgjedhja e qeverisë) të Kushtetutës, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Kujtojmë se pas katër muajsh vendi mbetet edhe pa president – që është organi legjitimues i institucioneve të cilat do të dalin pas zgjedhjeve.

Sipas rregullores së Kuvendit, Kryesia e Kuvendit do ta vazhdojë mandatin deri në konstituimin e legjislaturës së re.

“Gjatë fushatës zgjedhore Kryesia e Kuvendit e vazhdon punën, me qëllim që të ruhet vazhdimësia e punës së Kuvendit”, thuhet mes të tjerash në Rregullore. Po ashtu, Kryesia e përgatit edhe seancën konstituive të legjislaturës së re./Telegrafi/