Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë njofton se ka ngritur aktakuzë kundër tre personave të cilët si bashkëpunëtorë akuzohen për tentim për kryerjen e veprës penale “vjedhje e rëndë”, vepër e cila është e dënueshme sipas nenit 236 paragrafi 1 pika 1 lidhur me nenin 19 dhe nenin 22 të Kodit Penal.
Siç thonë nga Prokuroria, dy 30-vjeçarët dhe një 32-vjeçar, të tre nga Kumanova, së bashku dhe me marrëveshje paraprake, natën ndërmjet datës 9 dhe 10 tetor, në varrezat e qytetit në Kumanovë, kanë tentuar t’i sekuestrojnë stolitë me synimin për përvetësimin e tyre në mënyrë të paligjshme.
“Me lopata e hoqën pllakën e mermerit që mbulonte njërin prej varreve, pas së cilës filluan të gërmojnë tokën dhe arritën te arkivoli ku ndodhej trupi i të ndjerës J. F. Ata hapën arkivolin dhe filluan të kontrollonin trupin për të gjetur bizhuteri ari, pasi e dinin se e ndjera dyshohet se ishte varrosur me ar mbi të. Gjatë kontrollit nuk kanë gjetur asgjë, ndaj nuk kanë përfunduar punën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë./Telegrafi/