Telegrafi

Aktakuzë për terrorizëm për të kthyerin nga Siria në Kosovë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj A.M., për shkak të se i njëjti  ka kryer veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga neni 143 paragrafi 2 të KPRK-së, “Lehtësimi në kryerjen e terrorizmit” nga neni 138 paragrafi 1 të KPRK-së, dhe “Rekrutimi për terrorizëm”.

Përmes një njoftimi, Prokuroria Speciale tha se i pandehuri A.M. kishte marrë pjesë në luftërat e Sirisë dhe poashtu u kishte bërë thirrje të tjerëve për pjesëmarrje në atë luftë.

“Prokuroria Speciale njofton se i pandehuri i lartcekur me paramendim dhe me dashje si dhe me përgatitje paraprake, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatës terroriste ISIS, ka marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë. I njëjti në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthorazi nga zonat e konfliktit në Siri, si pjesëtar i organizatës terroriste ISIS, ka ofruar fonde për qytetarët nga Kosova, të cilët janë interesuar për të udhëtuar për në Siri, që t’i bashkëngjiten kësaj organizate. Gjithashtu, përmes ligjëratave të cilat i ka mbajtur në Kosovë, publikisht u ka bërë thirrje personave tjerë që t’i bashkëngjiten organizatës terroriste ISIS që vepronte në Siri dhe Irak”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë me këto veprime i pandehuri A.M. ka kryer veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, “Lehtësimi në kryerjen e terrorizmit” dhe “Rekrutimi për terrorizëm” nga nenet e  Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Telegrafi/