Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër N.M., për veprën penale “ blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, nga neni 273 paragraf 2 të KPRK-së.
“Me datën 25.05.2018, në fshatin Gremnik, Komuna e Klinës, pikërisht në afërsi të një pompe të derivateve, pa autorizim ka poseduar substancë psikotrope ose analoge, ku gjatë bastisjes së automjetit të dyshuarit nga ana e zyrtarëve policorë, i janë gjetur dhe sekuestruar gjashtë qese najloni të mbushura me substancë narkotike të llojit Kokainë.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka përmbushur elementet e veprës penale të përshkruar më lartë”, thuhet në njoftimin për media.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Gjakovë, që i pandehuri N.M., të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë.