Telegrafi

Aktakuzë për marrje ryshfeti dhe armëmbajtje pa leje ndaj gjykatësit në Pejë, Sali Berisha

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, Blerim Isufaj, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special,k undër Sali Berishës, gjykatës i Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Pejë, për “Marrja e ryshfetit” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria Speciale njofton se i akuzuari Sali Berisha në cilësi të personit zyrtar, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe ka pranuar përfitim në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

“Më 19 shtator 2019, i pandehuri  S.B. ishte takuar me dëshmitarin F.Z. me të cilin kanë shkuar tek vetura e dëshmitarit dhe pasi që kanë hyrë brenda, i akuzuari ka pranuar nga dëshmitari shumën e parave në vlerë prej dymijë (2000) euro”, thuhet në komunikatë.

Për shkak se i pandehuri ishte dakorduar me dëshmitarin, që në një rast ku i akuzuar ishte vëllai i dëshmitarit F.Z, në të cilin rast i pandehuri ishte kryetar i trupit gjykues, të njëjtit t’i shqiptojë dënim të favorshëm, me ç’rast i pandehuri ka marrë Aktgjykimin me të cilin ka shqiptuar dënim të kushtëzuar me burg prej tre vjet, me kusht për dy vjet për dy vepra penale të kontrabandimit me migrantë.

Me këto veprime i akuzuari S.B. ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Gjithashtu, i akuzuar S.B. deri më 19.09.2019 ka mbajtur në pronësi armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla dhe atë një revole të tipit ”Zaza Mini’’ kalibri 8 mm, me numër serik T.592372, së bashku me 10 fishekë, e cila është gjetur dhe sekuestruar me rastin e bastisjes që kishte ndërmarrë policia në banesën e tij në Pejë, e për të cilën nuk posedonte leje valide.

Me këto veprime i akuzuari ka kryer vepër penale “Mbajtja në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim të paautorizuar të armëve”. /Telegrafi/