Site icon Telegrafi

Aktakuzë për dhunë në familje, burri goditi gruan me mashë në kokë

Foto: Ilustrim

Departamenti i Përgjithshëm, në Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit B.SH, për shkak të dhunës në familje, i cili gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 28 nëntor 2018.

Sipas aktakuzës, më 28 nëntor 2018, në Gjilan, i pandehuri me dashje dhe qëllim të dëmtimit të integriteti trupor të bashkëshortes së tij, të dëmtuarës M.SH, ka shkaktuar dhunë në familje, duke përdorur dhunë psikike dhe fizike, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje verbale mes tyre, i pandehuri revoltohet dhe në prani të fëmijëve fillimisht e fyen me fjalë, pastaj e godet me grushte në kokë dhe fytyrë, e shtrëngon në fyt dhe në një moment e merr një mashë të stufës dhe me të e godet në kokë, me ç’rast e njëjta rrëzohet pa ndjenja, në dysheme.

E dëmtuara, si pasojë e goditjeve të marra ka pësuar lëndime të dukshme trupore, të cilat janë evidentuar edhe në raportin mjekësor, të lëshuar nga Emergjenca e Spitalit të Përgjithshëm, në Gjilan.

Prokurori i shtetit, i ka propozuar gjykatës, që të pandehurit t’ia vazhdojë masën e paraburgimit, për shkak që ende nuk kanë pushuar arsyet ligjore për të cilat është caktuar kjo masë dhe gjithashtu kjo është propozuar edhe nga e dëmtuara.

Po ashtu, prokuroria ka kërkuar që i njëjti të shpallet fajtor për veprën penale, e cila i vihet në barrë. /Telegrafi/

Exit mobile version