Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit R.D, në drejtim të veprës penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht”, jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, i pandehuri R.D., më 26.05.2017,me vullnet dhe vetëdije të plotë është nisur që të udhëtoj për në Siri, me qëllim që t’i bashkohet Organizatave Ushtarake në Siri.
Pas shkuarjes së tij në Republikën e Turqisë, autoritetet e Republikës së Kosovës kanë bërë kërkesë për kthimin e tij në Kosovë.
I pandehuri R.D më 02.06.2017, është nxënë në Turqi, ndërkaq më 14.05.2017 është kthyer për në Kosovë.
Me këto veprime ka kryer veprën penale “bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose para policore, në organizimet grupore apo individualisht”, jashtë territorit të Republikës së Kosovës nga neni 3 paragrafi 3, të Ligjit për parandalimin dhe bashkimin në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit L-05/002. /Telegrafi/