Site icon Telegrafi

Aktakuzë ndaj tre personave të dyshuar për fajde në Pejë

Prokuroria e Pejës ka ngritur aktakuzë ndaj Hazir Tahirsylajt, Artim Çekajt dhe Azem Veselit, të dyshuar për fajde.

Siç bën të ditur prokuroria, për Hazir Tahirsylajn ekziston dyshimi se ka kryer veprën penale pasi në vitin 2020 i ka dhënë një personi para me fajde ndërsa ka fituar rreth 20 mijë euro në emër të saj.

“Tahirsylaj i kishte kërkuar viktimës edhe 25 mijë euro të tjera që t’ia ndalë fajdenë”.

Të njëjtën vepër dyshohet se e ka kryer edhe Azem Veseli.

Sipas Prokurorisë, ai kishte përfituar mbi 10 mijë euro nga dhënia e parave me fajde.

“Veseli i ka dhënë para me kamatë të dëmtuarit që ai të paguajë disa borxhe të tjera. Pas dhjetë ditësh, Veseli ia jep edhe shtatë mijë euro të tjera të dëmtuarit për të cilat duhet t’i kthente 15 mijë euro”, thuhet në njoftim.

Personi i tretë, Artim Çekaj akuzohet se ka kryer veprën penale- ndihma në kryerjen e veprës penale fajdeja.

Në njoftim bëhet e ditur se është konfiskuar një veturë, një telefon dhe 20 mijë euro në pronësi të Hazir Tahirsylajt, ndërsa janë konfiskuar edhe dy telefona në pronësi të Artim Çekajt dhe një veturë e disa dokumente të Azem Veselit.

Veselit e Tahirsylajt u është vazhduar masa e arrestit shtëpiak e Artim Çekajt i është vazhduar masa e ndalimit për t’u afruar afër vendit apo personit të dëmtuar.

Exit mobile version