Telegrafi

Aktakuzë ndaj një serbi për krime lufte në Kosovë – kishte kryer dhunë seksuale

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër një të pandehuri, për krime lufte, i cili dyshohet se ka kryer dhunë seksuale ndaj viktimës së nacionalitetit shqiptar gjatë luftës në Kosovë.

Në njoftim thuhet se “Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Z.N, i nacionalitetit serb, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale Krim i luftës kundër popullsisë civile, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të RSFJ-së”.

“Hetimet kanë vërtetuar se gjatë periudhës kohore të luftës në Kosovë gjatë vitit 1998-1999, i pandehuri ka kryer dhunë seksuale si krim i luftës ndaj një viktimë të nacionalitetit shqiptar”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

Sipas njoftimit, kjo çështje penale tashmë i ka kaluar në kompetencë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë për procedurë të mëtutjeshme.

“I pandehuri gjendet nën masën e sigurisë – paraburgim, sipas vendimit të Gjyqtarit të procedurës paraprake deri në një vendim të ri nga ana e gjykatës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/