Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit E.H., i cili ngarkohet për armëmbajtje pa leje dhe përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm.
Sipas aktakuzës, më 14 gusht 2021 në Prizren, është gjetur se i akuzuari E.H., posedon një pistoletë të llojit “Walter” dhe një karikator të pistoletës në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët, në atë mënyrë që në një aheng familjar me pistoletë shkrep disa herë në restaurant dhe në rrugë dhe pasi këto veprime kanë qenë të incizuara i poston në llogarinë e tij në rrjetin social Tik-Tok.
Me këtë, ngarkohet se ka kryer veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, sipas Kodit Penal.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, thuhet se është propozuar që si dënim plotësues ndaj të akuzuarit të bëhet konfiskimi i përhershëm i pistoletës së llojit “Walter” dhe karikatori i pistoletës.