Site icon Telegrafi

Aktakuzë ndaj kryeshefit të Infrakos-it

Foto: Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur sot aktakuzë ndaj Agronit Thaçit, kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes së Infrastrukturës së Hekurudhës së Kosovës (Infrakos).

Sipas Prokurorisë, Thaçi dyshohet se gjatë vitit 2013 në Fushë Kosovë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete.

Përveç Thaçit, aktakuzë është ngritur edhe ndaj gjashtë personave të tjerë – përfshirë Nijazi Kryeziun, ish-këshilltarin e Kadri Veselit.

Lexo po ashtu Aktakuzë ndaj shtatë zyrtarëve të komunës së Prizrenit për keqpërdorim të pozitës zyrtare

“Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër S.P., N.K., V.I., B.N., B.K., A.Th., dhe N.A., në cilësinë e personave zyrtarë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Agron Thaçi akuzohet se nuk ka vepruar sipas Ligjit, duke i shkaktuar dëme ndërmarrjes publike Infrakos.

“Me këto mosveprime, pronën, patundshmërinë si dhe infrastrukturën e hekurudhës në pjesën e Komunës së Prizrenit e ka bërë të papërdorshme duke i shkaktuar kësaj kompanie dëme materiale. Me çka ka në vazhdimësi ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’”, njofton Prokuroria. 

Exit mobile version