Site icon Telegrafi

Aktakuzë ndaj katër personave – mashtruan 242 bashkatdhetarë nga Gjermania dhe Zvicra duke ju shitur bileta të rrejshme

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka bërë të ditur se pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve M.K., A.B., S.Z. dhe N.H., pasi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, ndërsa ndaj të pandehurit M.K., po ashtu për veprën penale “Shmangie nga tatimi”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit nga viti 2020, në vazhdimësi e deri më 4 gusht 2022, përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet sh.p.k”, pas një marrëveshjeje paraprake dhe në bashkëkryerje, me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, i kanë vënë në lajthim një numër të konsiderueshëm bashkatdhetarësh (242 tani të dëmtuar).

Tutje në aktakuzë thuhet se të pandehurit i kanë nxitur bashkatdhetarët që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre përmes paraqitjes së fakteve të rreme në atë mënyrë që, i pandehuri M.K., si pronar, kurse A.B., si menaxher i agjencisë së lartcekur, u kanë shitur të dëmtuarve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e Gjermanisë dhe atë të Zvicrës për në Prishtinë dhe anasjelltas, të cilët përmes reklamimit në websajtin e tyre dhe sms-ave u kanë dërguar të dëmtuarve oferta joshëse për blerje të biletave fiktive me një çmim më të lirë se sa çmimi real, të cilat fluturime nuk janë realizuar asnjëherë ngase nuk kanë qenë të planifikuara e as të rezervuara apo të konfirmuara në sistemin e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës, e as të atyre të Gjermanisë dhe të Zvicrës.

“Kurse të pandehurit S.Z dhe N.H., përmes një marrëveshjeje (kontratë interne, e pa noterizuar) të nënshkruar me të pandehurin M.K., kanë krijuar një xhirollogari bankare në një bankë në Lucern të Zvicrës, të cilët në këmbim të një kompensimi prej 4 Euro për çdo transaksion kanë mundësuar shitjen e biletave fiktive të dëmtuarve në emër të agjencisë, ku pastaj mjetet e mbledhura nga shitja e këtyre biletave, prej qindra mijëra eurosh, i kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të agjencisë në Prishtinë dhe në llogari tjera të pandehurit M.K., kurse shumën prej 26,000.02 CHF i kanë transferuar në llogarinë bankare e të pandehurit N.H., çka me këtë të dëmtuarve, u kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 165,246.00 €, si dhe 56,981.00 CHF”, thuhet në njoftim.

Ndërsa, i pandehuri M.K., nga viti 2020 e deri më 6 maj 2022, në cilësinë e personit përgjegjës të subjektit afarist, respektivisht Agjencionit turistik “Prishtina Jet Sh.p.k”, i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka bërë shmangie nga pagesa e tatimeve të parapara me legjislacionin tatimor në Kosovë, në atë mënyrë që pas një kontrolli të bërë në lokalin e tij nga ana e inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, është konstatuar se i pandehuri ka deklaruar rrejshëm të hyrat dhe arkëtimet e realizuara nga qarkullimi i biznesit të tij tek organet kompetente, respektivisht te ATK-ja, për periudhën e lartcekur kohore, çka me këtë ka bërë shmangie tatimore dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 24,928.38 €.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë, po ashtu, ka propozuar të konfiskohet dobia pasurore e fituar nga veprat penale, dhe atë shuma prej 35,000.00 CHF, 4,026.00 €, një veturë e tipit “Shkoda” e vitit 2017, shuma prej 165,246.00 € dhe 56,981.00 CHF, si dhe të pandehurit të URDHËROHEN për kompensimin e dëmit të shkaktuar të dëmtuarve sipas fletëpagesave/provave materiale të këtij rasti penal”, njofton Prokuroria. /Telegrafi/

Exit mobile version