Site icon Telegrafi

Aktakuzë ndaj drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe tre të tjerëve, dyshohen për disa vepra të keqpërdorimeve

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj drejtorit të suspenduar të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi dhe ndaj zyrtarëve tjerë të dyshuar në këtë rast, Ardian Krasniqi, Marigona Berisha dhe një personi tjetër F.D.

Ata po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim të ndikimit, falsifikim të dokumenteve, mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare dhe blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituar me kryerjen e veprës penale.

​Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar opinionin publik se konkretisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve me inicialet L.K (Lavdim Krasniqi vërejtja jonë), A.K., M.B. dhe F.D.

Sipas aktakuzës, të pandehurit L.K., dhe A.K., në cilësinë e Drejtorit të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe në cilësinë e shoferit, nga janari i vitit 2018 e në vazhdimësi, në bashkëkryerje, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, kanë kërkuar dhe pranuar të holla dhe dhurata për vete dhe për tjetrin nga personi me inicialet B.M., me qëllim të ushtrimit të ndikimit të tyre në vendimmarrje për uljen e dhe shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për të njëjtin. Me këtë të pandehurit kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit”, nga neni 424 të KPRK-së. Po ashtu, të pandehurit e lartcekur në bashkëkryerje i kanë mundësuar të dyshuarit A.M., që të arratisej nga territori i Republikës së Kosovës për në Shqipëri, duke shfrytëzuar veturën zyrtare të KPK-së, konkretisht të Drejtorit të SKPK-së, ku me këtë kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së.

Lexo po ashtu Lavdim Krasniqi lirohet nga arresti shtëpiak

Sipas aktakuzës, të pandehurit me inicialet A.K., dhe M.B., kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390 të KPRK-së. Ndërsa, e pandehura M.B., ka pranuar nga i dëmtuari B.M., një veturë në vlerë prej 25.000 euro, andaj me këtë ka kryer veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”, nga neni 333 të KPRK-së.

Po ashtu, sipas aktakuzës, i pandehuri L.K., ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 të KPRK-së.

Të pandehurit L.K., dhe F.D., kanë shkelur procedurat dhe rregullat e prokurimit publik dhe me këtë në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 të KPRK-së.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit, për veprat penale të cila iu vihen në barrë, të njëjtëve t’u shqiptohet dënimi plotësues-Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, konform nenit 59 lidhur me nenin 62 të KPRK-së dhe të bëhet konfiskimi i veturës si provë në këtë çështje penale./Telegrafi/

Exit mobile version