Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se ka ngritur aktakuzë, ndaj të pandehurit Q.R., për shkak të veprës penale ‘’Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar’’, nga neni 209 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri Q.R., në ditën e Zgjedhjeve të Parakohshme Parlamentare të Kosovës, përkatësisht më 06 tetor 2019, rreth orës 9h, duke qenë aktivist i partisë Vetëvendosje dhe anëtar i Këshillit iniciues të kësaj partie, në pikën e votimit në fshatin Pozheran, në mënyrë të kundërligjshme ka ndikuar në përcaktimin e lirë të votuesit, në atë mënyrë që në oborrin e shkollës së mesme ‘’Kuvendi i Manastirit’’, e kishte ndalë bashkëfshatarin e tij L.A., me ç’rast të njëjtit i kishte dhënë dy letra, njëra me numrat e kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe tjetra si fotoalbum me të gjithë kandidatët për deputet nga ana e kësaj Partie, me qellim që i njëjti të votonte për kandidatët e këtij subjekti politik, të preferuar nga i pandehuri”, thuhet në njoftim.
Ndër të tjera sipas njoftimit me këto veprime, i pandehuri ka kryer veprën penale të lartshënuar, prandaj prokuroria me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të njëjtin t’a shpallë fajtor për këtë vepër penale./Telegrafi/