Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër 11 të pandehurve me inicialet L.B., B.S., A.K., V.B., A.P., K.K., F.C., A.M., G.I., D.R., dhe E.C.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, aktakuza është ngritur për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” , “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe veprën penale “Detyrimi”.
Po ashtu, ndaj të pandehurit A.P, është ngritur aktakuzë edhe për veprën penale “Deklarimet e rreme”.
Ndërkaq, ndaj të pandehurit L.B. edhe për shkak të veprës penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
“Rasti ka të bëjë veprat penale të kryera gjatë muajit qershor të vitit 2022, në Prishtinë dhe në Mitrovicë, ku kemi pas hedhje të mjeteve shpërthyese – granatave të dorës në lokalet e ‘Riza hair Sallon’ në Prishtinë dhe në lokalin ‘Missini’, në Mitrovicë, ku pas një pune intensive hetimore të Prokurorisë Speciale, është arritur deri tek zbulimi i kryerësve të veprave penale të lartcekura, si dhe, arrestimi i tyre”, thuhet në komunikatën për media. /Telegrafi/