Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar të enjten se ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave për shkak të mashtrimit me subvencione.
Sipas njoftimit, katër prej tyre në cilësinë e personave zyrtarë, si Inspektorë për Kontroll në Teren pranë Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë, të cilët pas një marrëveshje paraprake dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme për personin tjetër, në këtë rast përfitueses së një granti, tani e pandehura M.D., në bashkëkryerje kanë përpiluar dhe prezantuar raporte të rrejshme tek organet kompetente.
“Duke konstatuar se përfituesja e grantit, tani e pandehura ‘kinse’ kishte plotësuar kriteret e kërkuara për subvencionimin e një granti për kultivimin e bletëve, ndërsa në realitet e njëjta nuk plotësonte kriteret e parapara ligjore, ngase nuk posedonte asnjë shoqëri (koshere) të bletëve, ku si rezultat i veprimeve nga personat e lartcekur, buxhetit të Republikës së Kosovës i janë shkaktuar dëme në shumën prej 11,753.30 €”, thuhet në komunikatën për media të prokurorisë.
Me këtë të pandehurit: A.Ç., A.H., L.K. dhe K.Z., si persona zyrtarë në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Mashtrimi në detyrë”, ndërsa përfituesja e grantit, e pandehura M.D., e ka kryer veprën penale “Mashtrimi me subvencione”.
Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat iu vihen në barrë.
Po ashtu, ka propozuar që të pandehurve të lartcekur t’iu ndalohet ushtrimi i funksionit në administratë publike apo funksioneve në shërbime publike, si dhe t’iu shqiptohet dënimi plotësues, duke urdhëruar që të kompensojnë dëmin e shkaktuar ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës deri në përmbushjen e vlerës së dëmit të shkaktuar si rezultat i veprave penale të tyre. /Telegrafi/