Prokuroria e Shtetit ka ngritur kallëzim penal kundër ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, për mosdeklarim të pasurisë.
Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj, e cila ka bërë të ditur se aktakuza është ngritur dje.
“Më 13 tetor 2022, Prokurori i Shtetit ka ngritur aktakuzë kundër R.H për mos deklarim të pasurisë”, ka thënë ajo në një prononcim për Telegrafin.
Ndryshe, në mars Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), pati dorëzuar kallëzim penal kundër ministres Hajdari.
Sipas Agjencisë, ministrja Hajdari dyshohet për mosraportim ose raportim të rremë të pasurisë, të të ardhurave, dhuratave dhe dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë ka reaguar Hajdari, duke thënë se i ka kryer të gjitha obligimet me kohë dhe deklarimet e saja gjenden në faqen zyrtare të AKK-së.
“Sot u njoftova nga mediat se Agjencia kundër Korrupcionit (AKK) ka dorëzuar kallëzim penal kundër meje për gjoja mos deklarim ose deklarim të pasaktë të pasurisë. Gjatë gjithë kohës si zyrtare publike, unë kam përmbushur detyrimin ligjor për deklarim të pasurisë dhe deklarimet përkatëse ndodhen në faqen e AKK-së”, ka shkruar ajo në Facebook. /Telegrafi/