Site icon Telegrafi

Aktakuzë kundër katër personave për falsifikim të dokumenteve në rastin e veteranëve

Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm ka ngritur aktakuzë kundër katër të pandehurve me inicialet M.I, F.H, H.F dhe B.H për veprat penale “Mashtrim”, si dhe “Falsifikim i dokumenteve’’.

Sipas një njoftimi për media nga Prokuroria, pandehurit në fillim të vitit 2018 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, kanë paraqitur fakte të rreme, duke lëshuar certifikata dhe vërtetime të veteranëve të luftës.

“Po ashtu, të dyshuarit e lartëcekur kanë përpiluar dokumentacionin-certifikatat dhe vërtetime të veteranëve në emër të këtyre personave me qëllim të shfrytëzimit të këtyre dokumenteve si origjinale. Me këto veprime, të pandehurit kanë kryer veprat penale ‘Mashtrim’, nga neni 335 paragrafi 2, si dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’, nga neni 398 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim.

Siç thuhet tutje në njoftim, të njëjtit me këto veprime kanë dëmtuar rreth 60 persona, me ç‘rast për një veprim të tillë kundërligjshëm kanë përfituar deri në 2500 €.

Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës, që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe t’i dënojë sipas ligjit. /Telegrafi/

Exit mobile version