Telegrafi

Aktakuzë kundër ish gjyqtarit Kolë Puka dhe babait të tij

I pandehuri Kolë Puka dyshohet se është marrë me aktivitet kriminal nga viti 2002- 2009, duke keqpërdorur pozitën e gjyqtarit në Gjykatën Komunale në Klinë, në atë mënyrë që gjatë aktivitetit kriminal ka përfituar mjete financiare në shuma milionëshe, duke kryer veprat penale: “Shpëlarje e parave” nga neni 32 par. 2 pika 2.1, 2.2, 2.5 dhe 2.6 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit, lidhur me veprën penale “Shpërdorimi i Pozitës Zyrtar ose i Autorizimit” nga neni 339 par 1 lidhur me par 3 të Kodit Penal të Kosovës.

Ndërkaq, i pandehuri Zef Puka dyshohet se e ka ndihmuar, të pandehurin Kolë Puka, për t’i fshehur pasuritë e fituara në mënyrë të kundërligjshme, duke kryer veprën penale: “Shpëlarja e parasë” nga neni 32 par 2 pika 2.1, 2.2, 2.5 dhe 2.6 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka propozuar Gjykatës që të konfiskoj pasuritë dhe mjetet financiare të fituara nga shitja e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/