Site icon Telegrafi

Aktakuzë kundër dy personave për “mashtrim”, u prezantuan si të afërm të personaliteteve të larta shtetërore  

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur sot aktakuzë kundër dy personave me inicialet Rr.H dhe K.R. për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi”,

Sipas aktakuzës, të pandehurit Rr.H dhe K.R. në periudhën kohore 30 dhjetor 2011 deri më 24 korrik 2012, së bashku me të pandehurin E.L i cili gjendet në arrati, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete ose për tjetrin, si dhe, për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e vënë në lajthim të dëmtuarin F.D. në atë mënyrë që përmes të pandehurit K.R., prezantohen rrejshëm para të dëmtuarit, edhe atë i pandehuri, Rr.H., si i afërm i personaliteteve të larta shtetërore politike.

“Ndërsa, i pandehuri E.L. si dhëndër i një personaliteti të lartë shtetërore e politike, ashtu që të tre së bashku, kinse me qëllim të ndërmjetësimit për blerjen e Qendrës Kardiake të Kosovës Sh.P.K në Prishtinë, mes personit të quajtur E.Ll. si shitës dhe F.D. si blerës, e nxisin të njëjtin të veproj në dëm të pasurisë së tij, duke i prezantuar draft kontrata sipas të cilave arrijnë ta bindin se i pandehuri Rr.H. është pronar i Qendrës Kardiake të Kosovës me 20% të aksioneve, ndërsa E.Ll me 80%. Me këtë rast arrijnë të marrin nga i dëmtuari shumën e përgjithshme të të hollave prej 290,810.00 euro (dyqind e nëntëdhjetë mijë e tetëqind e dhjetë euro), për të cilën shumë edhe i shkaktojnë dëme materiale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas aktakuzës, të lartcekurit me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi”. /Telegrafi/

Exit mobile version