Telegrafi

Aktakuzë kundër dy femrave për organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, kundër dy të pandehurave me inicialet L.I dhe A.A., pasi secila veç e veç, e kanë kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”.

Prokuroria Speciale njofton se të pandehurat me dashje kanë marrë pjesë në veprimtarinë e organizatës terroriste, në atë mënyrë që kanë shkuar në Siri dhe i janë bashkangjitur organizatës terroriste, militante, ekstremiste “ISIS”, duke e përkrahur këtë organizatë dhe veprimtaritë e saj.

“Po ashtu, e dyshuara A.A., me vëllain e bashkëshortit të saj, përmes Aeroportit të Tiranës ‘Nënë Tereza’ kanë shkuar së pari në Stamboll, e pastaj në Siri, ku, secila veç e veç, duke e përdorur shumën e rregullt mujore të të hollave nga Shteti Islamik iu kanë ofruar shërbime logjistike ushtarëve – anëtarëve meshkuj të familjes. E pandehura L.I., pas vrasjes së bashkëshortit të parë A.U., është martuar me K.K., nga Shkupi, e pas vrasjes së tij, me N.H. nga Pogradeci, të cilët po ashtu aktivisht kanë luftuar, e gjithë kohën duke e ndërruar vendbanimin varësisht nga ndryshimi i territorit të Shtetit Islamik, deri sa ISIS-i e ka pësuar disfatën e plotë kur kanë qenë të detyruar që të dorëzohen te forcat kurdë, të cilët pastaj me ndihmën e ushtrisë amerikane i kanë deportuar në Kosovë më 24 prill 2019”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime secila veç e veç  e kanë kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”. /Telegrafi/