Site icon Telegrafi

Aktakuza ndaj mjekëve ndikon negativisht në punën e tyre

Një aktakuzë e ngritur nga Kryeprokurori i Shtetit, për siç thuhet, shpërdorim detyre dhe njëkohësisht fondesh për pacientët që dërgoheshin për shërim jashtë institucioneve të shëndetit publik, e ka detyruar një ministër të Qeverisë së Kosovës të jap dorëheqjen, ndërkohë që ka implikuar edhe 63 punonjës shëndetësorë.

Të gjithë të akuzuarit presin fillimin e gjykimit, në një rast të cilësuar si rasti “Stentat”, e i përfolur në opinionin publik, ndërkohë që thuhet se e gjithë situata ka ndikuar në punën e mjekëve në institucionet shëndetësore.

Në Qeverinë e Kosovës, zëvendësimi i ministrit të larguar të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, konsiderohet si vendim politik të cilin duhet ta bëjë kryeministri Isa Mustafa në marrëveshje me partnerët e koalicionit, ndërkohë që çështje më delikate, konsiderohet ajo e personelit mjekësor nën hetime.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se aktakuza ndaj 63 punonjësve shëndetësorë, ka efekte negative në punën e gjithë personelit mjekësor në vend, meqë pjesa më e madhe e tyre janë profesionistë, tani nën akuzë.

“Ata janë zotuar se do tu përgjigjen organeve të drejtësisë dhe deri sa të vendoset verdikti final i aktakuzës nuk kemi çka të flasim. Por, unë mendoj se kjo ka filluar të ndikojë negativisht në punën e tyre. Edhe ata vetë janë duke u frikësuar t’i referojnë pacientët jashtë këtyre institucioneve. Fajtorët duhet të dënohen ndërkaq të tjerët të vazhdojnë punën, pasi që kjo po ndikon negativisht në punën e përditshme tek të gjithë mjekët”.

“Aty nuk ofrohen shërbime 24 orësh në Kardiologji Invasive, për shembull dhe në rast se infarktet akute kërkojnë koronografi shpejtë, dhe këta nuk referohen, e pacienti vdes, kush duhet të dënohet’’, ka thënë Syla.

Vendimi për ngritje të aktakuzës ka krijuar “huti” në mesin e mjekëve të institucioneve publike shëndetësore, duke shkaktuar edhe “probleme në raportin me pacientët” të cilëve, siç thuhet, “nuk mund t’u sugjerohet dërgimi në institucione private për shërim të mëtejmë”.

Për Valbon Krasniqin, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, shërbimet shëndetësore që nuk ofrohen brenda institucioneve publike shëndetësore, referohen jashtë tyre.

Ndonëse aktakuza është ngritur edhe ndaj një grupi të mjekëve për shpërdorim të detyrës dhe fondeve për dërgim të pacientëve kosovarë për shërim jashtë vendit, Krasniqi thotë se për shërbimet që kryhen brenda institucioneve publike shëndetësore, mjekët punojnë me përgjegjësi.

Por, ai tha se Ministria e Shëndetësisë nuk ka asnjë shkresë zyrtare për ngritjen e aktakuzës.

‘’Të gjithë profesionistët shëndetësorë brenda institucioneve shëndetësore publike e kryejnë punën e tyre me zell, në bazë të kapaciteteve dhe mundësive që kanë e që i ofrojnë institucionet publike shëndetësore. Çështjet e tjera janë mes tyre dhe institucioneve përkatëse që merren me hetime e akuza e që tashmë janë aktuale.

Udhëzimi administrativ parasheh që për çdo shërbim shëndetësor që nuk ofrohet në institucione publike shëndetësore, të referohet jashtë institucioneve publike e që e kryejnë këtë shërbim. Ministria e Shëndetësisë ende nuk ka diçka zyrtare për ngritje të aktakuzës, përveç nëpër media që kemi dëgjuar. Ne nuk kemi kompetenca të ndërhyjmë apo të komentojmë rreth çështjes që ka të bëjë me Kryeprokurorin e Shtetit”, ka thënë Krasniqi.

Aktakuza e ngritur nga Kryeprokurori i Shtetit ndaj ministrit në largim, Ferid Agani dhe 63 personave të tjerë, përfshinë periudhën e viteve 2011-2015, në të cilën siç thuhet është shpërdorur buxheti i Kosovës në vlera milionëshe.

Aktakuza e detyroi ministrin e Planifikimit Hapësinor, Agani, që të kërkojë nga kryeministri Mustafa ta lirojë nga detyra deri në shpalljen, e siç tha, “pafajësisë së plotë”.

Qeveria disa ditë më vonë thotë se kryeministri Mustafa e ka “liruar nga detyra” ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani pas, siç thuhet “kërkesës së ministrit”.

Sidoqoftë, edhe presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, e ka cilësuar si shembull të qeverisjes së mirë, vendimin e Ministrit Ferid Agani për tu liruar nga detyra, në mënyrë që t’i lë organeve të drejtësisë që të kryejnë punën e tyre.

Ai më tej ka shtuar se ky duhet të jetë shembull i sjelljes në pajtim me etikën institucionale, dhe i gatishmërisë për qeverisje të mirë.

Exit mobile version