Site icon Telegrafi

Aktakuza e Prokurorisë Speciale – pas Dukagjini Group reagon edhe Spitali Amerikan

Spitali Amerikan në Kosovë ka shprehur shqetësimin e tij të thellë lidhur me siç thotë rrjedhjen e paautorizuar të një aktakuze të Prokurorisë Speciale, ku ky institucion përmendet si palë e dyshuar.

Në një deklaratë publike, Spitali Amerikan thekson se nuk ka pranuar ende zyrtarisht aktakuzën, duke theksuar se kjo situatë përbën një shkelje serioze të parimeve të shtetit të së drejtës.

“Në këtë moment, as ne dhe as avokati ynë nuk e kemi pranuar zyrtarisht aktakuzën,” thuhet në deklaratë.

“Kjo shkelje e konfidencialitetit minon parimet themelore të procesit të rregullt ligjor dhe prezumimin e pafajësisë, të cilat janë gur-themelet e shtetit të së drejtës.”

Spitali ka akuzuar Prokurorinë Speciale për krijimin e një perceptimi publik të padrejtë nëpërmjet komunikatave sensacionaliste dhe rrjedhjes së informatave.

“Prokuroria Speciale ka për detyrë të ofrojë fakte dhe jo të krijojë perceptim publik për fajësinë e të pandehurve,” thuhet më tej.

Spitali Amerikan ka kërkuar hetime të plota për rrjedhjen e aktakuzës dhe mbajtjen përgjegjëse të atyre që kanë shkelur konfidencialitetin.

“Presim që organet përgjegjëse të iniciojnë hetimet lidhur me këtë rast. Çdo spekulim apo konkluzion i pabazuar, pa vërtetimin e fakteve nga Gjykata, mund të ketë vetëm motiv keqdashës,” theksohet në reagim.

Duke u ndalur te reputacioni i tij, Spitali Amerikan nënvizon se është një investitor i huaj në Kosovë, me aksionarë amerikanë dhe evropianë, dhe se të gjitha vendimet e tij janë marrë në mënyrë kolektive dhe transparente.

Lexo po ashtu Grupi Dukagjini: Të përkushtuar ndaj ligjit, pavarësisht sulmeve dhe akuzave të fabrikuara

“Akuzat e bëra nga Prokuroria dhe që janë bërë publike janë absurde,” thuhet në deklaratë.

Spitali gjithashtu ka theksuar kontributin e tij në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore në Kosovë, duke ofruar alternativa të nivelit të lartë brenda vendit.

Po ashtu, Dukagjini Group, i cili gjithashtu përmendet në aktakuzë, ka reaguar ashpër ndaj situatës, duke e cilësuar atë si një përpjekje dashakeqe për të dëmtuar reputacionin e tij.

“Në pamundësi për të konkurruar me ne në tregun e hapur, dashakëqijtë përpiqen të na dëmtojnë me akuza të fabrikuara,” thuhet në reagim.

Grupi ka theksuar se as ata nuk e kanë pranuar ende aktakuzën dhe do të japin deklarata të plota vetëm në Gjykatë.

“Veglat e këtyre dashakëqijve përpiqen të krijojnë epërsi të padrejtë në opinionin publik me komunikata sensacionaliste dhe me rrjedhje të informatave të gjymtuara,” thuhet tutje.

Të dyja institucionet u kanë bërë thirrje mediave dhe publikut që të përmbahen nga nxjerrja e përfundimeve të pabazuara.

“Spekulimet publike dhe konkluzionet e pabazuara nuk i ndihmojnë informimit të drejtë lidhur me këtë aktakuzë,” përfundon deklarata e Spitalit Amerikan.

Ndërkohë, të dy institucionet kanë shprehur besim në sistemin gjyqësor dhe kanë deklaruar se do të mbrojnë të drejtat e tyre në mënyrë ligjore./Telegrafi/

Exit mobile version