Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk pret ndonjë reagim nga Perëndimi për aksionin e sotëm të njësive speciale të Policisë së Kosovës në Shtërpcë dhe rrethinë, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.
Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Krime të Rënda në Prishtinë, sot është kryer aksioni “Brezovica”, përkatësisht urdhër kontrolli në objektin e Komunës së strukturave paralele në Shtërpcë, për shkak të dyshimit të veprave penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, marrje dhe dhënie të ryshfetit.
Lidhur me këtë aksion ka reaguar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili për mediat serbe tha se nuk pret ndonjë reagim, pasi në Prishtinë do të thonë se kjo është luftë kundër korrupsionit dhe krimit.
Sipas tij, “synimi i tyre [autoriteteve në Prishtinë] është të pastrojnë famullinë e Siriniqit, në mënyrë që serbët të mos mund të qëndrojnë në jug të Kosovës”, transmeton Telegrafi.
“Dhe e gjithë kjo fshihet pas një shqetësimi të rremë për ndershmëri në raport me menaxhimin e Brezovicës. Është shumë e qartë për mua, dhe nëse do të jetë e qartë për të gjithë të tjerët, kjo është një çështje tjetër. Por a duhet të presim që dikush të thotë diçka, prandaj mos u bëni naiv, ne e kemi tejkaluar kaherë atë shkallë naiviteti për të besuar se dikush në Perëndim do të thotë diçka kundër maltretimeve të serbëve në ‘Kosovë dhe Metohi’”, tha Vuçiq. /Telegrafi/