Gjyqtarët e procedurës paraprake nga Gjykata Penale, me propozim të Prokurorisë Publike, pesë prej të dyshuarve nga aksioni policor në Gërcec, u kanë caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh. Është pranuar propozimi për caktimin e masës së paraburgimit edhe për 10 persona të tjerë të përfshirë në grupin kriminal, por ai do të hyjë në fuqi kur të arrestohen, pasi të njëjtët janë në arrati.
“Gjyqtarët e procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për caktimin e masave për sigurimin e prezencës së 6 personave të cilët janë sjellë në gjykatë gjatë natës dhe lidhur me aksionin e policisë në Gërçec, pranoi propozimin e Prokurorisë për krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe personave Sh.B, F.B, N.I, F.S dhe S.A u ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndërsa për O.P. pranoi propozimin për caktimin e masës së sigurisë, përkatësisht konfiskimin e dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e lëshimit të një të reje, ndalimin e daljes nga vendbanimi, përkatësisht vendqëndrimin dhe detyrim për paraqitje në gjykatë”.
“Gjykata pranoi propozimin dhe caktoi masën e paraburgimit për 10 persona, të cilët janë të përfshirë nga hetimi dhe aktualisht nuk janë në dispozicion të organeve të rendit, që nga koha e arrestimit të tyre”, thonë nga Prokuroria.
Gjithashtu shtojnë se kundër këtyre vendimeve palët kanë të drejtë ankese në Këshillin Penal të kësaj gjykate.
Ndryshe, grupi ishte i përfshirë në kontrabandë droge dhe vrasje. Grupi nga Gërçeci ka pasur bashkëpunëtorë në institucione të ndryshme. Të gjithë ishin anëtarë të një grupi ndërkombëtar të krimit të organizuar të dyshuar për përfshirje në blerjen e kokainës dhe kryerjen e krimeve të rënda të vrasjes midis dhjetorit 2019 dhe marsit 2021.
MPB dje njoftoi se gjatë bastisjes u sekuestruan një sasi e madhe parash, makina luksoze dhe sende të tjera me vlerë./Telegrafi/