Site icon Telegrafi

Aksioni i Policisë së Kosovës në veri, vjen edhe reagimi i Brukselit

Me rastin e operacioneve të sotme të Policisë së Kosovës dhe arrestimet në veri, një deklaratë ka dhënë edhe Bashkimi Evropian.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, Maja Kocijançiq zëdhënëse e përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, ka thënë se operacionet e policisë së Kosovës duhet të jenë në përputhje me ligjin.

“Respektimi i sundimit të ligjit, përfshirë prezumimin e pafajësisë, është ajo për të cilën është e angazhuar fuqimisht BE-ja. Operacionet e policisë duhet të sjellin besim në ligj në të gjitha komunitetet. Ata duhet të forcojnë dhe jo të dobësojnë përpjekjet për normalizim”, citohet të ketë thënë Kocijançiq.

Ajo ka theksuar tutje se BE beson se më shumë bashkëpunim policor dhe gjyqësor është i nevojshëm nga të gjithë aktorët dhe me respekt të plotë për marrëveshjen e Brukselit.

“Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën dhe i kemi ftuar për përmbajtje”, ka thënë tutje Kocijançiq.

Ndryshe, gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, deri tani janë arrestuar disa zyrtarë policorë, si dhe disa qytetarë.

Përveç kësaj, është raportuar se ka edhe policë të plagosur, gjendja e të cilëve është jashtë rrezikut për jetë.

Policia e Kosovës ndërkohë ka njoftuar se operacionit policor i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në veprimtari kriminale ‘pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal’ dhe vepra tjera të specifikuara.

Po ashtu gjatë operacionit, siç është bërë e ditur, Policia ka konfiskuar gjësende të ndryshme përfshirë edhe disa armë. /Telegrafi/

Exit mobile version