Site icon Telegrafi

Aksioni pastrimi në Veternik, largohen mbeturinat (Foto)

Organizata Mjedisore “Let’s Do It Kosova” ka realizuar sot një aksion pastrimi në lokacionin “Rruga e vjetër e Shkupit” në Veternik, i cili ka rezultuar me largimin e një sasie prej 6 kamionësh mbeturina.

Vullnetarët e Iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën” këtë aksion e kanë realizuar në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, kompaninë menaxhuese të deponive në Kosovë dhe Kompaninë e ndërtimit ‘VZ’, e cila ka ofruar makinerinë e saj për realizimin e aksionit të sotëm.

Aksionit i janë bashkuar edhe banorët e asaj zone, të cilët u zotuan se më nuk do të hedhin mbeturina.

Sipas një njoftimi për media, thuhet se problemi i asaj deponie ilegale të mbeturinave do të zgjidhet me vendosjen e dy kontinierëve për hedhjen e mbeturinave, të cilët do i mirëmbajnë kompanitë e pastrimit përgjegjëse për atë zonë, duke shpresuar se një pamje e tillë më nuk do të përsëritet.

“Organizata Mjedisore “Let’s Do It Kosova” do të vazhdojë edhe më tej me aktivitete vetëdijësuese për mbrojtjen e mjedisit, në mënyrë që të kemi një vend të pastër dhe një gjeneratë të vetëdijshme për rëndësinë e një ambienti të pastër”, thuhet nder të tjerash në njoftim.

Fushatën “Ta Pastrojmë Kosovën” mund ta ndihmoni duke dërguar mesazhe në operatorët Vala dhe Z-mobile, në numrin “55244”.

Exit mobile version