Herët në mëngjes EULEX-i dhe Policia e Kosovës kanë nisur bastisje për një nga aksionet më të mëdha për krim të organizuar. Janë të përfshirë 40 persona e janë bastisur 42 lokacione në tërë Kosovën, transmeton KTV.
Prokuroria e ka konsideruar këtë grup të madh të organizuar kriminal, që ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më tash dhe deputetin e PDK-së, Azem Syla, si udhëheqës të këtij grupi. Por, ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së vetëm një ditë para se Policia t’i trokiste në derë për ta arrestuar, është nisur për në Shqipëri.
Megjithëkëtë, Prokuroria e konsideron si të arratisur Sylën dhe ka thënë se nuk ka arritur ta gjejë vendndodhjen e tij.
Syla në ditët e fundit ka marrë pjesë në shumë aktivitete publike, madje në krah të udhëheqësve të lartë shtetëror. Prokuroria ka njoftuar se në grup kanë qenë të përfshirë edhe qytetarë të Serbisë.
Grupi, në mesin e të cilëve ka ish-udhëheqës të Gjykatës, ish-zyrtarë komunalë të Prishtinës, zyrtarë të AKP-së, avokatë e të tjerë me vendime të jashtëligjshme ka shpronësuar prona shoqërore.
Gjatë ditës, ndërkaq janë arrestuar vetëm 6 persona, në mesin e tyre edhe Nuhi Uka, ish-kryetar i Gjykatës Komunale të Prishtinës.
Në këtë grup janë të përfshirë shumica e të dënuarve në rastin Bllaca.