Prokuroria Themelore në Prizren ka bërë të ditur se pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Policisë në Prizren, drejtorinë për Krim të Organizuar dhe Njësinë NJSO, është realizuar kontroll në dy lokacione me ç’rast janë arrestuar dy të dyshuar D.G., dhe L.G., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Fajdeja”.
Sipas njoftimi bëhet e ditur se të pandehurit e arrestuar, dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të viktimës, të njëjtit i kanë dhënë të holla me kamata mujore prej 15 për qind deri në 20 për qind.
Tutje thuhet se i dëmtuari disa herë ka paguar kamata, dhe kur i njëjti nuk ka arritur që t’i paguaj kamatat mujore, të pandehurit i kanë vënë kamata javore, me ç’ rast si rezultat i kamatave të larta, kanë arritur vlera të pa përballueshme për viktimën.
“Kontrolli është realizuar në regjionin e Prizrenit, ku pas grumbullimit të provave gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore në terren, të pandehurit janë arrestuar”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu në njoftim bëhet e ditur se gjatë këtij aksioni, Prokurori i Shtetit, ka sekuestruar dy automjete, armë, të holla të gatshme dhe prova tjera materiale, në drejtim të veprës së lartëcekur.
“Të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor, për të njëjtit, prokuroria do të parashtroj kërkesë për caktim të masës së paraburgimit.
Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/