Një grup i të rinjve ferizajas sot në mesditë në Ferizaj kanë marrë një aksion për dhurimin e rrobave për ata që kanë nevojë për to.
Te nënkalimi i hekurudhës ata kanë grumbulluar këto dhurata të cilat paraprakisht i kanë mbështjellë dhe kanë shënuar të dhënat se çfarë ka brenda.
Në dhurata kanë shënuar llojin e rrobave, madhësinë dhe informata tjera të nevojshme për tu orientuar ata që kanë nevojë për to.
“Ne kemi ardhur me asgjë dhe do të shkojmë me asgjë… Diçka e vogël që mund të bëjmë mund të jetë kujtimi më i bukur në mendjen e dikujt dhe vendi më i bukur në zemrën e dikujt. Kjo ishte një iniciativë dhe ide e vogël që unë me disa shoqe e realizuam me vullnet dhe plot dashuri”, thotë Xheneta Nazifi, njëra nga grupi i vullnetareve të këtij aksion.
“Rrobat të cilat nuk i përdornim i paketuam në formë të dhuratave duke mbishkruar mbi to moshën dhe gjininë për secilën rrobë. Ato rroba i vendosëm në nënkalimin e qytetit duke iu ofruar mundësi gjithë qytetarëve të cilët nuk kanë mundësi t’i marrin ato falas. Nëse dikush ka një rrobë të cilën nuk e përdorë paketoje atë në formë dhurate dhe dhuroje sepse dikush ka nevojë për të” , tha ajo, shkruan FerizajPress.
Këto vullnetare kanë ftuar edhe qytetarët e tjerë të Ferizajt të cilat kanë rroba për të dhuruar t’i paketojnë në formë dhurate, t’i shënojnë të dhënat dhe ti dërgojnë te nënkalimi i qytetit.