Telegrafi

Aksion shpëtimi për bankën gjermane Hypo Real Estate

Është hera e parë, që një ndërmarrje e listuar në Indeksin e Aksioneve Gjermanë (DAX) është në rrezik falimentimi.

35 miliardë euro garanci i ka premtuar shteti gjerman konsorciumit bankar, që shpëtoi nga falimentimi koncernin për financimin e hipotekave ‘Hypo Real Estate’.

Qeveria gjermane mbron kështu të gjithë pjesëtarët e tjerë të tregut financiar, që do të kërcënoheshin, në se shteti nuk do të ndërhynte", tha zëdhënësi i qeverisë, Ulrich Wilhelm.

Eksperti i ekonomisë bankare Thomas Hartmann-Wendel thotë se kjo ndihmë ruan besiminin aq të nevojshëm për ekzistencën e sistemit bankar.

"Kjo kredi krijon besim në sektorin bankar. Ajo është shumë e rëndësishme, në mënyrë që kriza bankare të mos thellohet më tej, siç e pamë në javët e mëparshme".

Rekord i uljes së vlerës së aksioneve

Ky besim nuk arriti të krijohej aq shpejt në bursën e Frankfurtit. Aksioni për shpëtimin e "Hypo Real Estate" nuk i solli asnjë përfitim të hënën në mëngjes koncernit që i kishte fshehur vazhdimisht problemet. Për këtë thyerje besimi aksionet e tij u dënuan si kurrë më parë në historinë e DAX-it me një rënie të vlerës me 75,5 qind në 3,30 euro.

Lajmi për gati falimentimin e institutit nga Mynihu i goditi edhe aksionet e instituteve të tjera financiare të DAX-it. Më së shumti pësuan aksionet e Commerzbank-ut, kursi i të cilave ra me një të katërtën e vlerës, ndërsa ato të "Deutsche Bank" dhe "Allianz" me nga gjashtë për qind.

Ishte hera e parë në historinë e Gjermanisë, kur një ndërmarrje e DAX-it ishte në rrezik falimentimi. Ekspertët parashikojnë, që ky nuk do të jetë rasti i fundit. Hartman-Vendel thotë se leksioni që marrim nga kjo ngjarje është, që sektori privat nuk është gjithmonë më i miri. "Ne kemi nevojë për menaxhim më të mirë, kontroll më të mirë dhe mbikqyrje më të mirë edhe në sektorin privat", thotë ai.

Ri-shtetëzim, një opsion ky që ende nuk ka hyrë në rend të ditës, por që sipas shumë ekspertëve, në se kriza financiare merr përmasa edhe më të gjëra, atëherë shteti do të duhet të ri-shtetëzojë institutet e prekura me argumentin e dështimit të ekonomisë së tregut. /DW/