Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës në ATK, nën autorizimin e prokurorit të rastit dhe sipas urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prishtinë, ka kryet një bastisje te një lokacion në qytetin e Fushë Kosovës, nën dyshimin e shmangies tatimore.
Sipas ATK-së, subjekti biznesor te i cili është kryer bastisja, në vazhdimësi ka lëshuar fatura dha ka bërë transaksione të dyshimta (fiktive), ku shumë subjekte të tjera kanë përfituar dhe kanë dëmtuar Buxhetin e Republikës së Kosovës.
“Për të gjitha veprimet në terren është informuar dhe raportuar tek prokurori i rastit. Aksionin në fjalë është zhvilluar nën asistimin e Policisë së Kosovës. Vetëm për periudhën janar-tetor 2018 Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës, ka zhvilluar 265 aktivitete për shmangie tatimore, prej tyre 17 lokacione të bastisura, ku vlera e shmangies tatimore është konstatuar mbi 7 milionë euro”, thuhet në komunikatën e ATK-së.
ATK thotë se është e përkushtuar të parandalojë dhe ta luftojë shmangien tatimore, si dhe çdo vepër tjetër penale që lidhet me tatimet, përcjell Telegrafi.