Telegrafi

Aksion për pastrimin e mbeturinave në Parkun e Qytetit të Shkupit

Një grup të rinjsh, të organizuar nga Lëvizja për Edukim dhe Avancim të Dialogut – LEAD, do të realizojë një aksion për pastrimin e mbeturinave në Parkun e Qytetit të Shkupit, me moton “Në xhep, nëse s’ka ku tjetër!”, njofton Telegrafi Maqedoni.

Aksioni do të mbahet sot, ndërsa vendtakimi është te Fontana te Parku i Qytetit, në ora 17:00.

LEAD u bën thirrje qytetarëve të Shkupit që t’u bashkëngjiten në këtë aksion. Disa grupe formale dhe joformale, si dhe individë, veç më kanë paralajmëruar se do të jenë pjesë e aksionit.

Ky do të jetë aksioni i parë nga shtatë aksionet e planifikuara për pastrimin e pjesëve të ndryshme të Shkupit dhe rrethinës, në shtatë muajt e ardhshëm.

Me këtë aksion fillon faza e dytë e Projektit “Në xhep, nëse s’ka ku tjetër!”. Faza e parë u realizua në Vodno, gjatë vitit të kaluar.

Krahas pastrimit të këtij lokacioni, aksioni ka për qëllim edhe ta ngrejë vetëdijen publike te qytetarët për ruajtjen e mjedisit jetësor. Për këtë qëllim, grupi i aktivistëve do të mbajë bluza me sloganin “NË XHEP, nëse s’ka ku tjetër!”. Gjithashtu, aksioni u mundëson të rinjve të bashkësive të ndryshme etnike të punojnë së bashku dhe të shoqërohen.

Projekti “NË XHEP, nëse s’ka ku tjetër!” Përkrahet nga Programi Civica Mobilitas, të cilin e zbatojnë NIRAS nga Danimarka, Qendra Maqedonase për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Instituti Suedez për Administratë Publike SIPU./Telegrafi/