Herolind Shala nuk di të ndalet në kampionatin norvegjez.
Mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës po kalon nëpër një formë fantastike, pasi thuajse çdo javë shënon dhe asiston.
Edhe këtë javë Herolindi ka qenë vendimtar për skuadrën e tij Start, që i ka dhuruar tri pikë të arta nga udhëtimi tek Tromso.
Start triumfuan me rezultat të ngushtë 1-2, falë një goli të shënuar nga Shala dhe një autogoli nga vendasit.
Goli i Shalës është duke u shpërndarë jashtëzakonisht shumë nëpër rrjetet sociale, pasi aksioni është i paparë ndonjëherë në futbollin norvegjez.
Një skemë tejet e mirë nga lojtarët e Start nga gjuajtja e lirë, kur topi shkoi te Shala i cili me lehtësi shënoi në portën e vendasve.
Goli i shënuar ndaj Tromsos është i katërti këtë edicion në elitën e futbollit norvegjez për Shalën, derisa ka bërë edhe katër asistime.
Përveç golave në kampionat, Herolindi ka shënuar edhe në Kupën e Norvegjisë ku e ka dërguar ekipin e tij në gjysmëfinale. /Telegrafi/