Telegrafi

Aksion i ART-së në 23 lokacione

Zyrtarë të ART-së thanë se aksioni është zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në 23 lokacione në territorin e Kosovës, përpos veriun. Serbët, përmes disa protestave thuhet se kanë reaguar ndaj veprimit të ART-së, por bëhet e ditur se nuk është shënuar asnjë incident.

Autoriteti Rregullator i Telekomunikacionit, në bashkëpunim me njësitet speciale të Policisë së Kosovës, përfundoi të hënën operacionin për asgjësimin e stacioneve radio-komunikuese me pajisje përcjellëse të Telefonisë Mobile të Serbisë, në të gjithë Kosovën, përveç veriut të vendit.

Drejtori i ART-së, Ekrem Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë se faza e dytë e operacionit ndaj operatorëve ilegalë është zhvilluar në gjithsej 23 lokacione në Kosovë. Ai bëri të ditur se shkyçja e këtyre stacioneve ka ndikuar edhe në telefoninë fikse, e cila, siç tha ai, mund të riaktivizohet shumë shpejt me metoda në përputhje me kornizën ligjore.

“Këto stacione, pajisje radio-komunikuese, kanë qenë të operatorit ilegal Telefonisë Mobile të Serbisë dhe në ato stacione ka pasur të integruara edhe pajisje të cilat kanë furnizuar me sinjale transmetuese edhe telefoninë fikse”, tha Hoxha.

Kryetari i Postë-Telekomunikacionit të Serbisë në Kosovë, Rangjel Nojkiq, e quajti të nxituar politikisht aksionin e ART-së. Ai tha se në Kosovë, veprojnë pa licencë edhe operatorë të vendeve të tjera, puna e të cilëve nuk pengohet.

“Duke marrë parasysh se ekzistojnë operatorë të telefonisë mobile në Kosovë edhe nga Mali i Zi, Maqedonia e Italia, të cilët funksionojnë pa asnjë problem dhe nuk ndërmerret asgjë për largimin e këtyre operatorëve, kjo edhe ka nxitur revoltë të madhe te serbët, pasi që u pamundësohet ushtrimi i shumë nevojave jetësore”, theksoi Nojkiq.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, tha se edhe kësaj radhe ka pasur protesta të banorëve serbë në disa zona në Kosovë. Megjithatë, sipas tij, nuk është shënuar ndonjë incident.

“Sipas informacioneve që kemi pranuar, nuk është paraqitur ndonjë incident që vlen të raportohet gjatë shkyçjeve ilegale dhe e tëra ka përfunduar diku rreth orës 11.30 pa ndonjë incident”, deklaroi Kelani.

Ndërkohë, përfaqësues të Ministrisë Serbe për Kosovën e quajtën të dëmshëm dhe të rrezikshëm aksionin e fundit të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit në Kosovë. /Telegrafi/