Telegrafi

“Aksion humanitar”, qytetarët i dhurojnë kravata kryeministrit Haradinaj (Foto/Video)

E plotësuar:  Kushtrimi Mehmeti, iniciator i këtij aksioni ‘humanitar’ tha se ky është një kontribut i jashtëzakonshëm i qytetarëve që ta ndihmojnë kryeministrin Ramush Haradinaj.

Ai tha se arsyetimi i kryeministrit për rritjen e pagës është ofendim për qytetarët. “Për këtë çështje lirisht ta ulë pagën se na ia sigurojmë kravatat për 300 ditë”, tha ai.

Mehmeti tha se nuk është nevoja të emërohen edhe aq numër i madh  i zëvendësministrave. “Mos na hupni shpresën…”, tha Mehmeti.

I pyetur nëse është kërcënuar lidhur me këtë aksion, Mehmeti tha se “disa më kanë sha …., por nuk i marrë si kërcënim”.

Ai tha se në vitin 1999, kur u zhvillua lufta ka qenë fëmijë.

Ndërkaq, gjatë mbledhjes së kravatave, këshilltari për media i kryeministrit Haradinaj, Halil Matoshi ia dorëzoi të pranishmëve në emër të kryeministrit një urim për festat e fundvitit.

Ndryshe, në fund të aksionit kravatat e mbledhura janë vendosur në rrethoja të Qeverisë së Kosovës.

E plotësuar:  Në një “aksion humanitar” janë mbledhur 200 kravata t’i cilat i dërgohen kryeministrit Ramush Haradinaj.

Ky aksion ”humanitar” vjen pas një vendimi të kryeministrit Ramush Haradinaj për rritje pagash të zyrtarëve të kabinetit të tij, duke e arsyetuar rritjen e pagës së tij si obligues ndaj vetes pasi s’mund të bëjë paraqitje me rroba të thjeshta.

Ai në një intervistë për mediat në vend pati thënë se është obliguar për rritjen e pagës pasi ai obligohet për postin që ka, të blejë këmisha dhe kollare nga më të ndryshme.