Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut në Kosovë, Qendra për Barazi dhe Liri dhe Qendra Kosovare për Studime Gjinore kanë realizuar sot një aksion në kohën kur po mbahej mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, ku temë diskutimi ishte gjendja aktuale në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Pas deklaratave të bëra në këtë Komision, ka ardhur reagimi i përfaqësuesve të këtyre organizatave.
Me fishkëllima e goditje të tavolinave ata protestuan, gjersa theksuan se homofobet nuk kanë vend në Kuvend, duke kërkuar edhe dorëheqjen e Duda Baljes nga Komisioni për të Drejtat e njeriut.
Ky është njoftimi i plotë i organizatave, pa ndërhyrje:
Homofobet nuk kanë vend n’Kuvend dhe Duda Balje të jep dorëheqje menjëherë nga Komisioni për të Drejta të Njeriut.
Duda Balje publikisht deklaroi përsëri që i qëndron prapa gjuhës së saj përjashtuese dhe diskriminuese ndaj personave LGBTIQ+ nën pretekstin klasik se “është mendimi im personal”.
Këtë deklaratë e bëri sot në diskutimin që u mbajt në Kuvendin e Republikës së Kosovës me temën “Gjendja aktuale në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë”.
Është skandaloze dhe jashtëzakonisht shqetësuese që një deputete e Kuvendit, njëherit Kryetare e Komisionit për të Drejta të Njeriut, nuk e kupton parimin bazë mbi të cilin duhet të funksionojnë këto pozita publike – të drejtat e njeriut janë universale dhe personat LGBTIQ+ meritojnë të drejta të barabarta.
Për këto deklarata publike Duda duhet të jep dorëheqje të menjëhershme nga pozita e kryetares.
Diskriminimi vazhdon nga deputetja Labinotë Demi Murtezi, prezentë në këtë takim, që publikisht deklaroi që “PERSONAT LGBTIQ+ SHPËRNDAJNË SËMUNDJE”, deklaratë të cilin e kemi ndëgju nga ajo edhe në seancën e 16 marsit të vitit 2022.
Kjo shpifje dhe gjuhë e urrejtjes ndaj personave LGBTIQ+ është e papranueshme dhe kërkon adresim të menjëhershëm nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës!
Aksioni i sotëm e detyroi Duda Baljen ta lëshoj takimin të cilin vetë e ka organizuar. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Duda Balje nga Komisioni i Drejtave të Njeriut. Kërkesa është e njëjtë edhe për deputeten Labinota Demi Murtezi.
Homofobet s’kanë vend n’Kuvend!. /Telegrafi/