Telegrafi

Aksidentoi nënën me dy fëmijë, Gjykata në Gjilan ia cakton 30 ditë paraburgim  

Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të pandehurit K. B.

Ekziston dyshimi i bazuar se më 21.01.2021, i pandehuri duke mos iu përshtatur rregullave të komunikacioni, në vendkalimin e shenjëzuar për këmbësor ka shkaktuar aksident ndaj të dëmtuarës M. S., e cila ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndaj fëmijëve së saj L. S. dhe A. Sh., të cilat kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik” vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin të Përgjithshëm, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka konsideruar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit të lartcekur, për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​ /Telegrafi/