Shpëton për mrekulli turisti nga SHBA i cili u aksidentua duke udhëtuar nga Thethi në Valbonë. Kryetari i bashkisë Tropojë, Rexh Byberi, falënderoi banorët, institucionet vendore, qendrore dhe spitalore të Tropojës, për ndihmën në shpëtimin e jetës.
“Dje duke udhëtuar nga Thethi në Valbone një turist nga SHBA u aksidentua rëndë. Menjëherë janë angazhuar banorët e zonës, strukturat e pushtetit vendor dhe qendror, ato të rendit dhe i gjithë personeli spitalor i Tropojës duke bërë të mundur në kohë rekord dhënien e ndihmës së parë të specializuar si dhe transportimin me helikopter në Spitalin e Traumës, Tiranë”, sqaroi Byberi.
Po ashtu, kryetari i Bashkisë shton se ky veprim i shpejtë sa human dhe profesional bëri që turisti të ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Falënderoj të gjithë ata që u angazhuan në këtë operacion i cili dëshmon edhe njëherë për cilësitë e larta të solidaritetit dhe virtutet e qytetarëve të Tropojës”, shprehet ai. /ATSH