Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, përmes një komunikate për media, ka njoftuar se sot në fshatin Dollc të komunës së Klinës, rreth orës 2:05 min, katër zyrtarë nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, prej tyre një prokuror, kanë pësuar aksident trafiku.
“Në këtë aksident dy persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe pas ndihmës mjekësore në Spitalin e Pejës janë liruar për trajtim në shtëpi. Ngasësi i makinës ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku tani është duke u trajtuar në Klinikën e Ortopedisë në QKUK në Prishtinë, ndërkaq prokurori Lulzim Sulejmani nga QKUK-ja është transferuar për trajtim jashtë vendit, pasi që është lënduar rëndë”, njofton Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit.
“Aksidenti ka ndodhur me veturë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, derisa zyrtarët nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ishin duke u kthyer nga një organizim i mbajtur në Gjakovë, me rastin e fundvitit, për të gjithë stafin e institucionit të Prokurorit të Shtetit dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës”, theksohet më tej në komunikatë.
Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit pret përfundimin e hetimeve për të kuptuar shkakun e ndodhjes së aksidentit.