Site icon Telegrafi

Aksidentohet rëndë një autobus polak në Kroaci, të paktën 11 të vdekur

Një autobus me targa polake është përfshirë në një aksident të rëndë trafiku në autostradën A4 Zagreb-Goriçan mëngjesin e së shtunës.

Të paktën 11 persona vdiqën në vend dhe 34 persona u plagosën, kryesisht lehtë, por këto shifra jozyrtare mund të mos jenë përfundimtare, raporton jutarnjilist.

Sipas informacioneve fillestare, autobusi dol jashtë rrugës nga Brezniçki Hum për në Komin, në drejtim të Zagrebit, rreth orës 05:30. Departamenti i Policisë së Varazhdinit deklaron se lokacioni i saktë është ndërmjet Jarek Bisaskit dhe Podvorecit, raporton index.hr.

Deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar për shkaqet e këtij aksidenti dhe as për rrethanat në të cilat ka ndodhur, por jozyrtarisht teza është se me shumë gjasa shoferin e ka zënë gjumi në timon.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen hetimet, ndërsa në vendngjarje janë thirrur ekipet e emergjencës dhe zjarrfikëset për të ndihmuar në shpëtimin e viktimave, raporton dnevnik.hr.

“Sipas informacioneve të deritanishme, në aksident trafiku kanë humbur jetën disa persona dhe një numër më i madh janë lënduar rëndë. Në vendngjarje, së bashku me oficerët e policisë nga PU-ja e Varazhdinit dhe PU-së së Zagrebit, ishin angazhuar disa ekipe të Institutit për Mjekësi Emergjente nga zona e Qarkut të Varazhdinit dhe Zagrebit, si dhe disa ekipe të zjarrfikësve nga të dy qarqet”. njoftoi policia. /Telegrafi/

Exit mobile version