Telegrafi

Aksidentohet autoambulanca në Sarandë, infermierja niset me helikopter drejt Tiranës

Aksidentohet ambulanca e Spitalit të Sarandës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:21 të mëngjesit në kryqëzimin e lagjes numër dy.

Ambulanca po shkonte të merrte një pacient, kur është përplasur me një automjet tip BMW X5 me targa angleze, i cili ka përfunduar brenda lokalit të shtetasit E. K..

Si pasojë është plagosur infermierja që ndodhej në autoambulancë, A. R., 58-vjeç.

Mësohet se gjendja e saj shëndetësore paraqitet e rëndë dhe është nisur me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

“Rreth ores 04:21, në kryqëzimin e quajtur ‘Kolagji’, lagja nr. 2, Sarandë, një autoambulancë e Spitalit të Sarandës me drejtues shtetasin A. K., 54-vjeç, banues në Sarandë është përplasur me mjetin tip BMW, me drejtues shtetasin K. K., 24-vjeç, banues në Sarandë. Si pasojë e aksidentit është dëmtuar shtetasja A. R., rreth 58-vjeçe, në gjendje të rëndë shëndetësore”, njofton policia.

Ndërsa dy drejtuesit e mjeteve janë lënduar lehtë jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave të aksidentit. /Ora News/