Telegrafi

Aksidenti me të paktën 12 të vdekur – publikohet momenti i përplasjes së dy trenave në Bangladesh

Të paktën 12 njerëz kanë gjetur vdekjen dhe rreth 100 të tjerë janë lënduar pasi dy trena u përplasën në Bangladeshin lindor në orët e para të mëngjesit të së martës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ekipet e shpëtimit janë në vendin e ngjarjes duke u përpjekur të tërheqin të mbijetuarit nga mbeturinat.

“Operacioni i shpëtimit është duke u zhvilluar. Numri i të vdekurve mund të rritet ndërsa ne i nxjerrim njerëzit e bllokuar”, i ka thënë CNN, Mohamed Shawkat Ali, Mbikëqyrës i Policisë për Hekurudhat Chittagong.

Siç bëhet e ditur, incidenti ndodhi në rrethin Brahmanbaria, rreth 100 kilometra (62 milje) në lindje të kryeqytetit Dhaka.

E gjitha ndodhi derisa një tren që po udhëtonte nga Sylhet, një qytet në Bangladeshin lindor, drejt qytetit bregdetar jugor Chittagong, kur u përplas me një tren me Dhaka që udhëtonte nga Chittagong në drejtim të kundërt.

Dy trenat u përplasen në Stacionin Hekurudhor Mondobhag rreth orës 3 të mëngjesit, sipas kohës lokale gjatë një ndërrimi të shinave.

Përplasja e trenave në Bangladesh mbetet një fatkeqësi e zakonshme për shkak të kushteve të këqija, vendkalimeve hekurudhore dhe sinjalizimit të dobët.

Ndërkohë janë publikuar disa pamje në të cilat thuhet se shihet momenti i përplasjes. /Telegrafi/